Uejn Runi i ka vënë si objektiv vetes të thyejë rekordet e golave të vendosura nga Sër Bobi Çarlton me fanellën e Anglisë dhe Mançester Junajtid. Lojtari mungoi në ndeshjen e mesjavës të “tre luanëve” kundër Suedisë, duke humbur mundësinë të rritë numrin e 32 golave që ka shënuar deri tani me fanellën e kombëtares, duke qenë 17 larg shifrës prej 49 golash të vendosur nga Çarlton.
Ndërkohë, atij i nevojiten edhe 64 gola të tjerë me fanellën e Mançester Junajitd për të arritur shifrën që ka regjistruar sulmuesi legjendar në këtë klub.
“Sër Bobi Çarlton i mban të dy rekordet ndaj kjo është një sfidë e madhe. Ai është një legjendë dhe prania e tij ndihet kudo në klub. Nëse do të arrija të thyeja rekordet e tij si golashënuesi më i mirë i Mançester Junajtid dhe ndoshta i Anglisë, do të ishte një shtysë shumë e madhe për mua personalisht”.
“Unë dua të luaj futboll sa më gjatë që të kem mundësi dhe fakti që kam ndarë dhomat e zhveshjeve me dy legjenda si Gigs dhe Skols është një shembull i mirë për rrugën që duhet ndjekur”, tha lojtari i cili pranon se nuk është ende gati të lërë plotësisht vendin e sulmuesit të avancuar për t’u tërhequr mbrapa si një 10 e mirëfilltë.
“Mendoj se një ditë mund të luaj në mesfushë, por jo tani, jam një qendërsulmues dhe shënoj gola. Mendoj se mund të shënoj edhe më shumë në të ardhmen. Kthehem në mesfushë nëse Mançester Junajtid ka nevojë, por golat janë pjesë e imja, prandaj dua të vazhdojë të jem një sulmues i mirëfilltë”, tha ai duke hedhur poshtë zërat që shohin Van Persin në rolin natyral të qendërsulmuesit në radhët e “djajve të kuq”. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 November 2012 14:30