Sulmuesi i Anglisë, Uejn Runi, beson se “tre luanët” mund të ngrenë trofeun e Euro 2012 këtë vit. Vetë lojtari është pezulluar për dy ndeshjet e para të aktivitetit pasi goditi me shkelm mbrojtësin e Malit të Zi, Miodrag Xhudoviç në ndeshjen e fundit të kualifikueseve.
“Unë mendoj se shkohet në turne me shpresën se mund ta fitosh”, tha ai për BBC. “Kjo është gjëja kryesore. Në dy turnetë e mëparshëm, ne kemi patur vetëm zhgënjime dhe ka ardhur koha që të bëjmë gjërat siç duhet”.
“Ne e dimë si lojtarë se nga ne pritte më shumë se sa kemi bërë në vitet e fundit. Tani na duhet të sigurohemi se do të japim maksimumin dhe kur të fillojë turneu, të mundohemi ta fitojmë. Nëse e bëjmë një gjë të tillë dhe nuk jemi të mirë sa duhet, vetëm atëherë mund të ngremë duart lart dhe të themi se u mundëm”.
Por sado që Runi e sheh me optimizëm situatën, Anglia vazhdon të pësojë goditje të njëpasnjëshme me mungesat e lojtarëve. Sikur të mos mungonin problemet në mbrojtje dhe mesfushë ku mungojnë disa lojtarë për dëmtime, Hodgson tani duhet të mendojë si të ndërtojë repartin e sulmit të paktën për ndeshjen e parë kundër Francës.
Kjo për shkak se përveç Runit, në këtë ndeshje pritet të mungojë edhe Zhermen Defo. Ky i fundi ka udhëtuar me urgjencë sot drejt Anglisë pasi ka mësuar se është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur babai i tij dhe do të marrë pjesë në funeralin e tij këto ditë. Kjo lë vetëm 3 alternativa në sulm për Hodgson, ku zgjedhje e parë është Endi Keroll, ndërsa zëvendësues më të mundshëm janë Teo Uollkot dhe Dani Uellbek. (LajmeShqip.com)
Thursday, 07 June 2012 17:23