Drejtori ekzekutiv i Bajern Mynih, Karl Hainz Rumenige, ka insistuar se Mario Gëtze nuk do të ketë mundësinë të shfrytëzojë klauzolën e largimit në momentin kur do të firmosë për Bajern Mynih, për shkakun e thjeshtë se ajo nuk do të ekzistojë në kontratën e tij.
Lojtari i talentuar do të transferohet në verë te bavarezët, të cilët do të paguajnë 37 milion euro për ta marrë atë nga radhët e rivalëve të Dortmundit, duke shfrytëzuar këtë klauzolë largimi që ekziston në kontratën e tij aktuale.
“Menaxheri i Gëtze u mundua që të negocionte një klauzolë largimi, por kërkesa e tij u refuzua nga ne. Asnjë nga futbollistët tanë nuk ka një klauzolë largimi në kontratë”, sqaroi Rumenige, duke bërë të qartë se bavarezët nuk do të bënin gabimet e rivalëve të tyre dhe t’i jepnin mundësinë futbollistëve të veçantë të largoheshin.
“Unë nuk mendoj se Bajerni u shfaq pa takt në realizimin e kësaj lëvizje. Thjesht Dortmundi është i zhgënjyer sepse po humb një lojtar të mirë. Edhe unë do të inatosesha shumë nëse dikush do të vinte nesër dhe të më merrte Frank Riberi nga poshtë hundës”, ishte komenti i Rumenige. (LajmeShqip.com)
Thursday, 02 May 2013 10:24