Shefi ekzekutiv i Bajern Mynih, Karl Hainz Rumenige, ka bërë një propozim mjaft të veçantë për Bundesligën, duke ftuar klubet e tjera që të marrin në konsideratë idenë e spostimit të kampionatit në verë. 57 vjeçari mendon se do të ishte shumë më e përshtatshme sikur të mos ekzistonin pushimet e verës, në mënyrë që të luhej kur kushtet atmosferike në Gjermani janë më të përshtatshme për futboll.
“Këtu në Gjermani nuk luhet futboll nga maji në gusht, ndonëse kushtet atmosferike janë më të mirat gjatë këtyre muajve. Ndoshta ne duhej të bënim pushimin e gjatë të kampionatit kur kushtet janë të këqija në dimër. Ky do të ishte një avantazh për futbollin gjerman në përgjithësi”, deklaroi ai.
Sipas idesë së Rumenige, sezoni duhet të fillojë në pranverë dhe të mbyllet në fillimin e dhjetorit. Një kampionat i tillë zhvillohet me sukses në vendet skandinave si Norvegjia, e cila nis kampionatin në mars dhe e përfundon në nëntor.
Ky plan ka një avantazh tjetër për klubet gjermane, të cilat mund të shfrytëzonin dimrin për të përmirësuar financat a tyre nëpërmjet turneve në vende të largëta si Azia apo Lindja e Mesme. Ato sigurojnë të ardhura të mëdha dhe janë më të përshtatshme gjatë dimrit sesa gjatë verës, kur lojtarët e kanë mendjen te pushimet në plazh. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 April 2013 15:10