Shefi ekzekutiv i Bajern Mynih, Karl Heinz Rumenige, u ka treguar klubeve të Serisë A recetën e suksesit të klubeve të Bundesligës. Sipas tij, mungesa e infrastrukturës ka sjellë largimin e lojtarëve kryesorë nga skuadrat italiane për të siguruar të ardhura për mbijetesën në periudhën e krizës financiare.
Shembulli konkret është largimi i Zlatan Ibrahimoviç dhe Tiago Silva nga radhët e Milanit në fillimin këtij sezoni.
“Futbolli italian është në telashe, por jam i sigurt se do të arrijnë ta menaxhojnë disi krizën. Stadiumet gjermane janë gjithmonë të mbushura pasi në implementojmë një politikë sociale, duke i mbajtur çmimet e biletave të ndeshjeve të pranueshme për të varfrit, çmime që janë edhe 7 euro në disa ndeshje të Bajern Mynih”, tregoi drejtuesi i bavarezëve.
“Suksesi i stadiumit “Allianz Arena” bën të qartë se bashkitë në Itali duhet të kuptojnë rëndësinë e stadiumeve moderne për futbollin publik. Ndonëse kam lexuar se skuadrat e Milanos janë kritikuar ashpër, mendoj se ata janë në rrugën e duhur për balancimin e rrogave dhe për t’u dhënë lojtarëve të rinj një shans më shumë”.
Gjatë javës së fundit, Juventusi nuk arriti të mbushte stadiumin e ri në debutimin në Ligën e Kampioneve për shkak të problemeve me tifozët që protestonin për çmimet e larta të biletave. Ndërkohë, shumë bileta ishin në shitje deri dje për ndeshjen derbi Milan-Inter, kur më parë për ndeshje të tilla nuk ekzistonin bileta në treg shumë javë para zhvillimit të tyre. (LajmeShqip.com)
Sunday, 07 October 2012 10:01