Karl-Hainz Rumenige ka theksuar se prioriteti i këtij sezoni për Bajern Mynih është që të fitojë titullin kampion në Gjermani. Shefi ekzekutiv i bavarezëve mendon se ka ardhur koha që kjo skuadër të kthehet përsëri në majën e futbollit gjerman, ku mungon prej dy vitesh dhe sipas tij, kjo ka më shumë rëndësi dhe sjell më shumë nder sesa suksesi në Ligën e Kampioneve.
“Prioriteti ynë është të shpallemi kampionë të Gjermanisë në sezonin e 50-të jubilar të Bundesligës. Titulli kampion në Gjermani është ai që ne na tërheq më shumë pasi është më i drejti nga të gjithë”, tha Rumenige për “TZ”.
“Në Ligën e Kampioneve, fati dhe forma e ditës luajnë një rol shumë të madh. Po të mos ishte kështu, trofeu i Ligës së Kampioneve do të ishte në muzeun e klubit tonë tani”.
“Por ne duhet të harrojmë për atë që ndodhi një vit më parë dhe të bëjmë një fillim të ri. Jemi shumë të motivuar dhe kërkojmë të fitojmë edhe Ligën e Kampioneve. Por maji i vitit 2013 është ende shumë larg ndaj ne nuk po mendojmë ende për të”.
Bajern Mynih e filloi fushatën në Ligën e Kampioneve në mënyrën më të mirë të mundshëm duke fituar 2-1 përballë Valencias, ndërsa në kampionat ka regjistruar 3 fitore në po aq ndeshje të luajtura. (LajmeShqip.com)
Friday, 21 September 2012 09:27