Shefi ekzekutiv i Bajern Mynih, Karl-Hainc Rumenige, ka pranuar se “nuk është optimist” për mundësinë e firmosjes me mesfushorin e Atletik Bilbaos, Havi Martinez. Klubi bask është i vendosur të përfitojë sa më shumë prej shitjes së këtij lojtari, ndërsa ka vënë një çmim të panegociueshëm pre 40 milionë eurosh për blerjen e tij.
Rumenige tregon se bavarezët nuk janë në një pozitë ku të mund të përballojnë një shifër të tillë, ashtu si edhe rivalët e tyre kryesorë në garën për këtë futbollist, Barcelona.
“Të jem i sinqertë, nuk jam optimist. Presidenti i Atletik, Hosu Urrutia, ka theksuar gjithmonë se nuk dëshiron ta shesë futbollistin nën çmimin e klauzolës që ka në kontratë”.
“Ajo është një shumë parash që nuk ka ekzistuar më parë në futbollin gjerman. Nuk ka asnjë klub në Evropë që është i gatshëm ta paguajë atë çmim. Unë kam marrëdhënie shuam të mira me Barcelonën dhe e di që edhe ata nuk janë të përgatitur ta bëjnë një gjë të tillë”.
“Duhet ta shohësh merkaton e transfertave në mënyrë më racionale. Ka disa lojtarë që ia vlejnë për këto shifra, por nuk ka shumë të tillë në këtë botë”, tha Rumenige.
Ai pranoi se gjithçka që kishte lidhje me merkaton, kishte kaluar në dorën e Matias Samer, cili po vlerësonte situatën dhe ndërhyrjet që mund të bëheshin. “Fola me Samer të premten dhe ai po bën një analizë të situatës aktuale. Më pas mund të marrim një vendim të përbashkët nëse ka nevojë që skuadra të përmirësohet apo jo. Është gjithmonë 2-3% në fund që vendos nëse bëhesh kampion në Gjermani, fiton Ligën e Kampioneve, apo nuk arrin asgjë nga të mësipërmet”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 July 2012 13:20