Kalërimi kuqezi drejt titullit të 18-të nis në një natë gushti në “Meaca”. Skuadra e Leçes, e sapongjitur në Serie A, shpartallohet me një 4-0 të pastër, fryt i dopietës së Patos dhe golave të Tiago Silvas dhe Filipo Inzagit.
Java e dytë është javë makthi: në “Manuci” të Çezenës, kundër një tjetër skuadre të ardhur nga Seria B, ku milanezët mposhten me golat e Bogdanit dhe Xhiakerinit, ndërsa Ibrahimoviç në fund humb penalltinë që mund të kishte hapur ndeshjen.
Dy barazime radhazi, në javën e tretë dhe të katërt, në shtëpi me Katanian dhe në Romë kundër Lacios, që nuk qetësojnë skuadrën, edhe pse në “Olimpiko” vjen goli i parë në kampionat i Ibrës.
Më pas vijnë katër suksese radhazi, që e çojnë Milanin në krye larg të tjerëve, nga java e pestë në të tetën: fitore kundër Xhenoas, Parmës, Kievos dhe Napolit në “San Paolo” falë golave të Robinjos dhe Ibrahimoviçit.
Por është Juventusi që sjell me këmbë në tokë lojtarët e Allegrit, sepse në javën e nëntë fiton brenda në “Meaca”.
I padobishëm goli i Ibrahimoviçit dhe Interi është në garë. Tre gola Barit, po aq Palermos dhe “Djalli” është në rrugë të mbarë në krye falë gabimeve të Lacios, që humb edhe në fushën e Çezenës pasi humbi edhe derbin.
Është Ibrahimoviç, që me ndihmën e Materacit, vendos në derbin e Madoninës: suedezi rrëzohet së pari në zonë nga mbrojtësi i Interit dhe më pas realizon golin me penallti.
Me 10 pikë të marra në katër ndeshje (fitore kundër Fiorentinës, Breshias dhe Bolonjës, barazim në Xhenova me Sampdorian), në javën e gjashtëmbëdhjetë Milani është në plus gjashtë në raport me Juventusin, Napolin e Lacion.
Marko Borrielo i shkakton një pakënaqësi të madhe ish-tifozëve të tij të vjetër: shënon golin që i jep mundësinë Romës të fitojë në “Meaca” në javën e 18-të të Serisë A.
Goli i të riut Straser në Kaljari dhe katër golat e shënuar ndaj Udinezes (që shënon po aq) i japin mundësi Milanit që të mbyllë fazën e parë në krye të renditjes: katër pikë në epërsi në raport me Napolin.
Kampionati rifillon nga fusha e Leçes dhe është barazim, ndonëse Ibra shënon një euro-gol.
Suedezi shënon edhe kundër Çezenës dhe Katanias dhe Milani konsolidon kreun.
Dy barazime me Lacion dhe Xhenoan para katër golave të shënuar në portën e Parmës: ku shënon edhe Antonio Kasano, pas Sedorfit është dopieta e parë e Robinjos, por Napoli duhet mbajtur nën vëmendje, tre pikë, ndërsa Interi mundet nga Zonja e Vjetër.
Fitorja me vuajtje kundër Kievos shërben si antipastë për super-sfidën kundër Napolit: në “Meaca” miqtë janë në disavantazh nga goli i Ibrës dhe më pas pësojnë edhe golat e Boatengut dhe Patos.
Xhenaro Gatuzo shënon rrallë, por goli i tij në Torino kundër Juventusit është shumë i rëndësishëm në luftën për titull: Interi mbetet në pesë, Napoli në tetë kur kanë kaluar njëzet e tetë javë.
Por atëherë vjen kriza që nuk pritej: barazimi i pamenduar kundër Barit (Ibra merr karton të kuq) pasohet nga humbja kundër Palermos.
Interi është në dy dhe Milani kishte frikë se mos humb kreun. Pa Ibrën, kuqezinjtë shpartallojnë kushërinjtë e tyre: 3 0 (dy gola Pato, Kasano me penallti), dhe tjetër shkëputje, me titullin më pranë.
Por kujdes Napolin, që është i suksesshëm. Milani i përgjigjet. Fitorja 2-1 në Firence (Ibra merr sërish karton të kuq) i lë kuqezinjtë plus tre ndaj Napolit.
Duart në titull skuadra e Allegrit i vendos kur fiton kundër Sampdorias dhe Breshias (vendos Robinjo), ndërsa Napoli humb me Udinezen dhe Palermon, kur kanë mbetur edhe katër javë nga fundi, plus tetë ndaj Interit dhe +9 ndaj skuadrës së Maxarrit.
Një gol i shënuar në fillim të ndeshjes nga Flamini thyen Bolonjën në “San Siro”, mbetet vetëm një pikë e cila vjen më 7 maj kundër Romës. Pas 0 0 në “Olimpiko” festa mund të nisë!
Monday, 09 May 2011 13:08