Mediat angleze kanë raportuar se Brëndan Roxhers po bëhet gati të firmosë një kontratë trevjeçare me Liverpulin, duke marrë drejtimin e kësaj skuadre që shkarkoi javën e kaluar trajnerin Keni Dalglish.
Trajneri nga Irlanda e Veriut, i cili në dy sezonet e fundit ka drejtuar me sukses Suonsin duke e ngjitur në elitën e futbollit anglez, ishte kandidati surprizë që doli në skenë në ditët e fundit, pasi nga gara u tërhoq trajneri i Uigan, Roberto Martinez.
Pronarët amerikanë të Liverpulit, kompania “FSG”, kanë rënë dakord që t’i paguajnë klubit uellsian të Suonsi një shumë që mendohet se kalon 5 milion paund për shkak se Roxhers ka një kontratë në fuqi me këtë ekip.
Detyra e tij në sezonin e ardhshëm do të jetë të ngrejë ekipin që kohët e fundit ka rënë nën nivelin e zakonshëm të paraqitjeve. Mjafton të kujtohet se në sezonin që përfundoi, Liverpuli u rendit në vendin e 8-të, ndërsa regjistroi vetëm 5 fitore në kampionat në ndeshjet e zhvilluara në vitin 2012.
Në kontrast, Suonsi nën drejtimin e Roxhers ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer, duke përfshirë edhe një sukses 1-0 pikërisht ndaj Liverpulit në javën e fundit të kampionatit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 May 2012 20:24