Në pjesën e dytë të intervistës së tij, të dhënë për gazetën spanjolle “AS”, Kristiano Ronaldo është shfaqur disi më polemik, duke filluar nga rivali i tij Lionel Mesi dhe diskutimit rreth “Topit të Artë”. Portugezi pretendon se nuk është çuditur nga fakti që argjentinasi nuk përmendi emrin e tij gjatë fjalimit të falënderimit kur morri trofeun për herë të katërt.
“Nuk më çuditi aspak. Ai nuk më votoi mes tre më të mirëve, ndaj nuk kishte si të më çudiste. Mungesa e Murinjos në ceremoni? E respektoj vendimin e tij dhe mendoj se ai e dinte se çfarë do të ndodhte në atë ceremoni, është më i zgjuar se të tjerët”, ishte komenti i Ronaldos rreth kësaj teme që ka shkaktuar shumë debate.
Ronaldo ka folur edhe për temën e rinovimit të Murinjos, duke hedhur për herë të parë dyshime rreth të ardhmes së trajnerit në pankinën e Realit, pasi për herë të parë la të kuptohej si ai mund të largohet në fund të sezonit.
“Të ardhmen e tij nuk e di. Por mendoj se do të vazhdojë minimumi deri në fund të këtij sezoni, pasi është një trajner që dëshiron gjithmonë të fitojë dhe ne kemi objektiva të ndryshëm që mund të realizohen. Më pas do të vendosë atë që është më e mira për të, për stafin e tij dhe për klubin. Por nuk di të them çfarë mendon ai dhe klubi aktualisht”, ishin fjalët e Ronaldos që kanë hedhur shumë hije dyshimi për të ardhmen e Murinjos në skuadër.
Në fund, nuk mund të mungonte një batutë rreth fjalëve të gazetares Sara Karbonero, e dashura e Iker Kasijas, e cila pak ditë më parë deklaroi se kishte përçarje brenda skuadrës që është kundër Murinjos.
“Ka tema për të cilat nuk më takon të flas por është një temë delikate dhe mendoj se është nga gjërat që nuk duhen bërë. Njerëzit janë të lirë të flasin atë që mendojnë, edhe pse mendoj se nuk ka bërë mirë, pasi gjërat që ndodhin në dhomat e zhveshjeve duhet të mbeten aty dhe gjërat që dihen nuk i dihen thënë shtypit. Por ndodh që çdokush i bën veprimet si e mendon më mirë dhe thotë atë që mendon”, ishte komenti i tij, që dukej më shumë në adresë të Iker Kasijas, sesa i drejtuar ndaj Sara Karboneros. (LajmeShqip.com)
Thursday, 07 February 2013 11:35