Ish-sulmuesi brazilian Ronaldo, ka kritikuar lojtarët që duhej të kishin marrë mbi shpatulla drejtimin e kombëtares braziliane pas largimit të tij, duke cilësuar se asnjë prej tyre nuk ishte shfaqur në nivelin e duhur. Sipas tij, kjo ishte arsyeja pse aktualisht Brazili është shumë larg nivelit të viteve të kaluara.
“Mendoj se arsyeja e rënies është se erdhi i fundi i një brezi dhe pritej që një brez i ri të merrte situatën në dorë, me lojtarë si Adriano. Ne shpresonim që ai do të bëhej qendërsulmuesi i ri i kombëtares, që Kaka do të merrte rolin e liderit, ose edhe vetë Ronaldinjo, por asnjë prej tyre nuk u tregua në lartësinë e kërkuar”, ishte opinioni i sulmuesit.
Tashmë shpresat e të gjithë Brazilit varen mbi shpatullat e Neimar, por Ronaldo vazhdon të insistojë se ai ka nevojë që të shkojë në Evropë për t’u bërë më i miri dhe se qëndrimi i tij në Brazil vetëm e penalizon.
“Neimar është pa dyshim një lojtar i shkëlqyer. Kur ai të vendosë të shkojë në Evropë, ky djalë do të bëhet futbollisti më i mirë në botë. Ai është shumë i talentuar për t’u kufizuar me qëndrimin në Brazil. Mendoj se ka gabuar në këto vite duke vendosur të qëndrojë te Santos. Kjo do të kishte qenë koha perfekte për t’u përshtatur me futbollin evropian. Ai do të kishte pasur eksperiencën e duhur në momentin kur do të fillonte Kupa e Botës”, deklaroi Ronaldo. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 April 2013 10:25