Kthimi i Real Madrid te fitoret bindëse dhe ecuria pozitive e kësaj skuadre, duket se ka entuziazmuar përsëri edhe Kristiano Ronaldon, i cili është i përqendruar që të mbyllë sa më mirë sezonin, duke evituar të bëjë komente për të ardhmen e tij.
“E rëndësishme nuk është e ardhmja ime, i rëndësishëm është Real Madrid dhe që kjo skuadër të vazhdojë të fitojë. Jam i lumtur, pasi të shënosh gola është e rëndësishme. Prioriteti im është të ndihmoj ekipin dhe kjo është detyra ime. Ekipi po luante mirë dhe unë thjesht hyra në pjesën e dytë duke ndihmuar me një gol e një pasim”, tha ai për takimin e djeshëm ku qëndroi në stolin e rezervave në pjesën e parë të ndeshjes.
Portugezi ka bërë të qartë se tani të gjitha forcat e Realit janë përqendruar te Liga e Kampioneve që kërkohet me ngulm në këtë sezon.
“Kualifikuesja kundër Gallatasarajit nuk është e mbyllur ende, kemi një avantazh të mirë por do të na duhet të luftojmë. Nuk di të them nëse jemi favoritë për të fituar Ligën e Kampioneve, duhet t’i marrim gjërat me radhë. Por mendoj se kemi shanse të mëdha për të shkuar në finale”, deklaroi futbollisti portugez, i cili në fund nuk ka evituar një kritikë ndaj shokëve të skuadrës për faktin se janë gjendur përsëri në disavantazh në këtë ndeshje. “Duket sikur kemi nevojë të pësojmë një gol në mënyrë që të luajmë më pas në maksimumin tonë”, tha Kristiano Ronaldo. (LajmeShqip.com)
Sunday, 07 April 2013 10:30