Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo, me një të kaluar si të Barcelona, ashtu edhe te Real Madrid, është i bindur se finalja e Ligës së Kampioneve do të vërë përballë pikërisht këto dy ekipe spanjolle.
Sipas tij, Reali ka një detyrë më të vështirë ndaj Bajern Mynih, por beson se madrilenët do të kalojnë turin, për më tepër që kanë në krahun e tyre aftësitë e një trajneri si Zhoze Murinjo.
“Ata janë në një nivel të lartë dhe pavarësisht faktit që kualifikuesja përballë Bajern Mynih është shumë e vështirë, mendoj se madrilenët janë superiorë”, deklaroi ai për “SkySports”.
“Murinjo ka një mentalitet fituesi dhe një aftësi të zakonshme për t’ia përçuar lojtarëve të tij. Ka kthyer Real Madrid në një ekip të madh, në gjendje të fitojë gjithçka”.
“Unë mendoj se ai do të vazhdojë të qëndrojë te Real Madrid. Nuk besoj se do të lëvizë, të paktën derisa të ketë përmbushur objektivat që i ka vënë vetes”.
Këto janë arsyet pse ai parashikon një finale mes Realit dhe Barçës. “Spanja po vuan një krizë ekonomike, por dy ekipet e tyre kryesore janë shumë para të tjerëve. Finalja e Ligës së Kampioneve do të jetë mes tyre”, u shpreh i sigurt ish-sulmuesi brazilian. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 April 2012 08:35