Kristiano Ronaldo ka bërë të qartë se dëshiron që të respektojë kontratën që ka me Real Madrid dhe nuk planifikon të largohet nga kjo skuadër para fundit të saj, në qershorin e viti 2015.
“Dua që të respektoj kontratën me Real Madrid, për këtë jam mëse i qartë. Pas saj, nuk di të them se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen”, ishin fjalët e lojtarit në një intervistë të dhënë për Fifa.com.
“A jam i lumtur? Sinqerisht që po. Unë po bëj diçka që më pëlqen, diçka që më jep kënaqësi. E di se sa me fat jam dhe ndjehem shumë i realizuar”, shtoi ai.
Më pas, golashënuesi më i mirë i Real Madrid ka mbrojtur fuqimisht trajneri Zhoze Murinjo nga kritikat e fundit, duke theksuar se ai meritonte më shumë vlerësime nga sa merr aktualisht.
“Njerëzit mund të protestojnë dhe duhet ta respektosh një gjë të tillë, ndonëse mendoj se ata duhet të jenë pak më të durueshëm me Murinjon. Për mua është shumë e qartë se Murinjo dëshiron gjithmonë atë që është më e mira për klubin dhe do të luftojë deri në vdekje për ta mbrojtur atë”, ishin fjalët e Ronaldos.
“Të gjithë ne që punojmë përkrah tij e dimë një gjë të tillë, por gjithsesi duhet respektuar edhe opinioni i tifozëve. Sipas pikëpamjes time, ai është trajneri më i mirë në botë, ka shumë eksperiencë dhe ka fituar gjithçka që mund të fitohet”.
Edhe vetë Kristiano Ronaldo është bërë shpesh objekt polemikash, ndonëse është padyshim një nga futbollistët më të spikatur në dekadën e fundit.
“Nuk e di pse rrethohem nga polemikat. Nuk mund t’i jap një përgjigje të sinqertë kësaj pyetje pasi është diçka për të cilën kam pyetur shpesh edhe veten. Njerëzit që më njohin, e dinë se çfarë lloj personi jam”, tha Kristiano Ronaldo, duke konfirmuar gjithsesi se pranon çdo lloj kritike si pjesë e profesionit të tij. (LajmeShqip.com)
Monday, 14 January 2013 16:21