Ronaldinjo do të ulet në tavolinën e bisedimeve gjatë javës së ardhshme për të diskutuar rinovimin e kontratës së tij me klubin e Atletiko Mineiro.
Spekulimet rreth të ardhmes së 32 vjeçarit flasin për një interesim të Fluminense dhe Santos pas paraqitjeve të tij të shkëlqyera në muajt e fundit, por klubi aktual është vënë menjëherë në lëvizje për të mbyllur gjithçka në lidhej me kontratën e futbollistit.
Vëllai dhe njëkohësisht menaxheri i Ronaldinjos, Roberto De Asis, nuk bëri një deklaratë zyrtare, por la të kuptohet se është shumë pranë nënshkrimit të marrëveshjes së re.
“Nuk mund të konfirmoj rinovimin, por në këtë skuadër ai ka kushtet e duhura për të qëndruar dhe kjo është ndjesia që kemi aktualisht. Marrëdhënia me klubin është shumë e mirë dhe të gjitha situata përputhen për rinovimin”, tha Asis për “Lancenet”.
“Nuk di të them nëse marrëveshja do të jetë për dy vite, tre, katër apo për të gjithë jetën. Do ta diskutojmë qetësisht, pasi ai është i lumtur në klub. Kjo është arsyeja pse kemi caktuar një takim gjatë javës së ardhshme”, shpjegoi De Asis.
Ronaldinjo mendohet se ka si qëllim të kthehet në kombëtaren braziliane për Botërorin 2014 dhe garancia e një vendi në formacionin e skuadrës është arsyeja e vetme pse nuk dëshiron të largohet nga Atletiko Mineiro, pasi edhe klubet e tjera i ofrojnë një rrogë të njëjtë, në mos më shumë. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 November 2012 09:01