Ronaldinjo duket se do të zgjedhë shumë shpejt një aventurë tjetër jashtë Brazilit, pasi në adresë të tij kanë ardhur oferta shumë të rëndësishme ekonomike nga kampionate të ndryshme.
Lojtari ka qenë në luftë të vazhdueshme me drejtuesit e Flamengos për shkak të rrogës së tij, dhe vetëm ndërhyrja e kompanisë braziliane “Traffic” ka bërë të mundur që atij t’i shlyheshin pagesat e prapambetura të tre rrogave të fundit prej 542 mijë eurosh në muaj.
Si rrjedhojë, lojtari është gati të largohet nga kampionati problematik brazilian, sapo t’i shfaqet një ofertë e rëndësishme dhe sipas mediave braziliane, atij i kanë ardhur dy të tilla, nga Los Anxhelos Galaksi dhe një klub kinez.
Për skuadrën amerikane nuk bëhet e ditur se sa ofron në vit, por brazilianit do t’i pëlqente transferimi në Kaliforni, pasi ëndërron të bëhet një yll edhe jashtë fushës së futbollit.
Megjithatë, oferta më e rëndësishme ekonomike i ka ardhur nga një ekip i paidentifikuar kinez. Sipas”FootMercato”, ky klub i ka ofruar 10 milionë euro në vit për tre vitet e ardhshme, ndërsa kjo shumë mund të rritet nëse braziliani është i gatshëm të negociojë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 31 January 2012 11:15