Zdenek Zeman është shumë pranë pankinës së Romës, sipas asaj që konfirmojnë vetë drejtuesit e klubit verdhekuq.
Drejtori sportiv i kryeqytetasve, Valter Sabatini, ka pranuar se brenda 3-4 ditësh do të vendose gjithçka, por ka dhënë pëlqimin e tij për Zeman.
“Pas 3-4 ditësh do të emërojmë trajnerin e ri. Kemi kontaktuar me shumë trajnerë dhe kemi folur edhe me Bielsan. Mundësitë që Zeman të firmosë për ne janë shumë të mëdha, bohemi do të përfaqësonte një shenjë vazhdimësie, rruga e tij futbollistike është e përbashkët me atë të Luis Erikes”, u shpreh Sabatini për trajnerin i cili njihet për filozofinë e tij sulmuese.
“Montela? Nuk ishte kandidat kryesor, por një kandidat i mirë”, tha ai, duke lënë të kuptohet se ish-futbollisti nuk është mes kandidatëve kryesorë. I vetmi që mund të pengojë emërimin e Zeman në stolin e kësaj skuadre është portugezi Andre Vijas Boas, i cili ka qenë këto dy ditë në kryeqytetin italian për t’u takuar me drejtuesit e kësaj skuadre për të propozuar kandidaturën e tij. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 May 2012 20:12