Roma ka lënë në pritje Vinçenco Montelën edhe për të pakën një javë, pasi po shqyrton një hipotezë të jashtëzakonshme për stolin e trajnerit të kësaj skuadre: të sjellë në kryeqytetin italian argjentinasin Marcelo Bielsa.
Ky i fundit pritet të drejtojë për herë të fundit Atletik Bilbao në finalen e Kupës së Mbretit përballë Barcelonës nesër në darkë, ndërsa më pas do të vendosë se ku do të jetë vitin e ardhshëm.
Për këtë arsye drejtuesit e Romës po bëjnë të pamundurën për të sjellë “El Loco” në stolin e skuadrës së tyre, pasi ai njihet botërisht si një nga trajnerët më të mirë në qarkullim. Bielsa do të ndihmonte projektin e Romës për të ndërtuar një skuadër me futboll ofensiv spektakolar, projekt që dështoi tërësisht nën drejtimin e spanjollit Luis Enrike.
Ky variant i ri ka bërë që Vinçenco Montela të kalojë në plan të dytë, të paktën për këtë javë, pasi mendohet se Bielsa do të bëjë zgjedhjen e tij përfundimtare para fillimit të muajit qershor. Ndërkohë, Montela është gati të marrë drejtimin e ish-skuadrës së tij dhe pret vetëm ftesën e drejtuesve të klubit romanist. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 May 2012 14:10