Skuadra e Romës duket se ka bërë lëvizjet më të zgjuara në këtë merkato vere, duke afruar lojtarë mjaft cilësorë, por mbi të gjitha duke arkëtuar shumë të mëdha nga shitja e disa elementëve që nuk po gjenin hapësirat e nevojshme në formacionin e Rudi Garcias.
Që Walter Sabatini është një specialist për të përfituar maksimumin nga lojtarët verdhekuq, e tregon fakti se Dodo u transferua tek Interi për 9 milionë Euro, apo shuma marramendëse që përfitoi klubi kryeqyettas nga shitja e brazilianit Marquinhos te PSG. Edhe këtë verë, Drejtori Sportiv i Romës nuk ka zhgënyer, përkundrazi ka arritur të arkërtojë plot 65 milionë Euro.
Andrea Bertolacci u ble nga Milani për 20 milionë Euro, të paktën 25 milionë Euro kushtoi edhe kartoni i të riut Romagnoli. Mattia Destro do të bëhet pjesë e Bolonjës për rreth 10 milionë Euro, ndërsa e njëjta shumë do të derdhet në arkat e Romës nga Lyoni për shërbimet e Yanga-Mbia.
Të ardhurat e përfituara nga shitja e këtyre lojtarëve u kanë dhënë mundësi drejtuesve të Romës të afrojnë lojtarë të rëndësishëm dhe me shumë eksperiencë si Dzeko dhe Salah . Në listën e dëshirave të Rudi Garcias është edhe një mbrojtës qendre si dhe një mesfushor krahu.
Maksimovic i Torinos, mbetet alternativë e parë për repartin e pasmë, ndërsa si anësor në Romë pëlqehet Digne i PSG. Ndërkohë Sabattini po punon për t’i gjetur një destinacion të ri Adem Ljajicit, që mbetet alternative e fundit për sulmin pas afrimit të Salah e Dzekos. Edhe në këtë rast, drejtuesi verdhekuq kërkon të përfitojë sa më shumë para nga shitja e serbit, që pëlqehet nga Roberto Mancini i Interit.
Tuesday, 11 August 2015 17:02