Ashtu si Ronaldinjo në vitin 2011, edhe Robinjo është pranë kalimit nga radhët e Milanit te ekipi i Flamengos. Ky fakt është konfirmuar nga administratori i ekipit kuqezi, Adriano Galiani, në momentin kur ka zbarkuar në Rio De Zhaneiro në Brazil. “Po, është një nga hipotezat e mundshme”, ishin fjalët e tij para gazetarëve që e kanë pritur me shumë kureshtje në aeroport për të mësuar se cili është destinacioni i dy sulmuesve brazilianë të Milanit.
Pritet që gjatë ditës së sotme, ai të fillojë bisedimet pikërisht me klubin më të famshëm brazilian, për të provuar të mbyllë marrëveshjen për shitjen e sulmuesit, i cili ka kërkesa konkrete edhe nga Santos. Megjithatë, Robinjo duket se nuk e ka problem të kalojë te Flamengo, pasi tërhiqet nga ideja të luajë për këtë skuadër kaq të famshme.
Ndërkohë, çështja e Patos është më pak e komplikuar, pasi për lojtarin aktualisht interesohet vetëm një ekip, Korinthians. Kjo skuadër është gati të afrojë sulmuesin si “dhuratë” për tifozët pas fitores së Botërorit të Klubeve, me shpresën që tashmë të luftojë për titullin kampion në Brazil si dhe të ripërsëritë sukseset në arenën ndërkombëtare.
Mbetet për t’u parë se cila është lëvizja e merkatos që do të bëjë Milani nëse largon të dy sulmuesit, pasi vetë Galiani ka pranuar një ditë më parë se në një eventualitet të tillë do të kërkojë të blejë një lojtar tjetër. (LajmeShqip.com)
Monday, 24 December 2012 16:55