Legjenda braziliane, Roberto Karlos ka paralajmëruar largimin nga futbolli aktiv sapo të mbarojë sezoni aktual, në një intervistë të dhënë për “Marca”. Ish lojtari i Real Madridit, aktualisht te rusët e Anzhi Makhashkala, ka vendosur që ky do të jetë sezoni i tij i fundit, në karrierën e tij mëse të suksesshme ku ka luajtur si profesionist për 17 vite.
“E kam menduar dhe e kam vendosur përfundimisht se do të largohem. Do të lë futbollin kur të përfundojë ky sezon,” është shprehur ish-futbollisti i Real Madridit. “Kam fituar gjithçka dhe unë nuk mundem më. Vitet bëjnë të veten dhe trupi më thotë të largohem”, tha braziliani.
“Pas largimit do të vazhdoj të mbetem si asistent i presidentit Suleiman Kerimov, pasi me të kam një kontratë për të gjithë jetën. Ai më ka kërkuar që të ndihmoj në ndërtimin e një strukture për klubin për 10 vitet e ardhshme”.
“Kam përjetuar çdo gjë me kombëtaren. Kam luajtur me Palmeiras, Inter dhe Real Madrid. Por tani ka ardhur koha që t’i kushtohem familjes”, përfundoi ai.
Nga shumë specialistë, braziliani Roberto Karlos është cilësuar ndër mbrojtësit më të mirë në historinë e futbollit, duke u krahasuar me ish-kapitenin dhe legjendën e Milanit, Paolo Maldinin, ndërsa golat e tij me goditje dënimi kanë hyrë në historinë e këtij sporti. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 January 2012 14:39