Drejtori sportiv i Anzhi Makhashkala, një nga legjendat e futbollit brazilian, Roberto Karlos, ka shprehur interesimin për t’u bërë trajner në të ardhmen.
Ish-mbrojtësi i majtë, që ka luajtur 125 ndeshje për kombëtaren e Brazilit, i dha fund karrierës së tij si futbollist në radhët e klubit rus një vit më parë, pasi kishte fituar më parë 3 Liga Kampionesh dhe një Kupë Bote. Megjithëse i pëlqen detyra e drejtorit sportiv për klubin e tij, 39 vjeçari po mendon gjithnjë e më shumë që të marrë një rol më aktiv.
“Është fantastike të jesh drejtor dhe të mbash përgjegjësi, por puna ime është aty, në vijën buzë fushës. Kjo është ajo që unë dëshiroj. Kam udhëtuar me skuadrën dhe kam punuar përkrah trajnerëve, por vazhdoj të marr pjesë në stërvitje në fushë. Kjo është një jetë e re, që më pëlqen shumë, por po i afrohemi fundit të vitit 2012 dhe unë duhet të marr sa më parë licencën e trajnerit”, tha ai në një intervistë të dhënë për faqen e FIFA-s.
Sipas tij, një pjesë e rëndësishme e eksperiencës së re në rol drejtues ka ardhur nga trajneri aktual i kombëtares së Brazilit, Mano Menezes, i cili e drejtoi në vitin 2010 kur ish-lojtari i Real Madrid luante te Korinthians.
“Ishte një eksperiencë fantastike, pasi ai më mësoi shumë gjëra. Prej tij mësova si të trajtoj lojtarët dhe si të administroj yjet e mëdhenj. Ai ka qenë i sinqertë me ne që në ditën e parë, duke na thënë se kishte nevojë për ndihmën e lojtarëve që të bënte sa më mirë punën e tij”, shpjegoi Roberto Karlos. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 October 2012 14:53