Ish-ylli i futbollit italian, Roberto Baxho, ka lajmëruar se është larguar përfundimisht nga Federata Italiane e Futbollit, ku kryente detyrën e përgjegjësit të sektorit teknik. Por kjo lamtumirë nuk ka ardhur për shkak të ndonjë oferte më të mirë, por për faktin se Baxho pretendon se nuk është lënë asnjëherë të punonte në kushte të përshtatshme, ndaj preferonte më mirë të largohej.
“Nuk më është lejuar të kryej detyrën që më është ngarkuar, ndaj nuk dua të vazhdoj më. Nuk jam i fiksuar pas poltronave. Programi im prej 900 faqesh, i prezantuar që në nëntorin e vitit 2011, ka mbetur thjesht një shkresë dhe këto janë pasojat e tij. Por kjo nuk është lamtumira ime përfundimtare nga futbolli”, deklaroi “Bishtaleci” që kishte marrë këtë detyrë në vitin 2011.
I menjëhershëm ka qenë justifikimi i presidentit të Federatës Italiane, Xhankarlo Abete, i cili mendon se Baxho nuk ishte personi i përshtatshëm për të qëndruar në një zyrë.
“Roberto Baxho është një person i jashtëzakonshëm, por nuk e ndjente të tijin këtë rol drejtues, nuk ndjente kënaqësi. Nuk jam i çuditur nga ky vendim, pasi e prisja. Për shkak të impenjimeve të tija ndërkombëtare, nuk ka pasur shumë kohë në dispozicion për t’iu dedikuar kësaj pune”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 January 2013 09:07