Arjen Roben shënoi golin e fitores për Bajern Mynih në finalen e Ligës së Kampioneve dhe u cilësua “njeriu i ndeshjes”, duke marrë çmimin nga duart e trajnerit Aleks Ferguson. Por vetë mesfushori holandez ka zbuluar se ka marrë një vlerësim shumë më të madh me SMS.
“Kam marrë shumë mesazhe urimi dhe shumë SMS. Duhet ta dini se më kanë mbërritur edhe nga Çelsi, duke filluar nga shoku im Petr Çeh, për të vazhduar me Frenk Lampard e Xhon Terri”, tregoi ai për lojtarët e londinezëve me të cilët ka luajtur përkrah në karrierën e tij.
Ironikisht, ishin të njëjtët lojtarë që i shkaktuan atij një dëshpërim shumë të madh në karrierë, duke e ndalur një vit më parë dhe duke i rrëmbyer trofeun lojtarit holandez pas gjuajtjes së penalltive. Por tashmë ata janë treguar më miqësore duke kujtuar nëpërmjet SMS-ve të përshëndetin futbollistin i cili ka luajtur përkrah tyre nga viti 2004, deri në vitin 2007.
Roben do të ketë gjithsesi mundësinë të hakmerret për disfatën e vitit të kaluar në ndeshjen e Superkupës së Evropës, ku Bajerni që fitoi Ligën e Kampioneve do të ndeshet me Çelsin që fitoi Europa League në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 May 2013 09:56