Arjen Roben është “viktima” e parë e revolucionit që do të kryejë Pep Guardiola në radhët e Bajern Mynih, pasi mesfushori holandez do të nxirret në shitje gjatë verës. Sipas mediave angleze, Lajmin e kanë mësuar shumë klube të cilat më parë kanë shpehur interesim për holandezin, dhe tashmë janë të gatshme ta kthejnë atë përsëri në Angli.
29 vjeçari nuk bind Guardiolën, i cili sheh si problematike formën e tij me luhatje e sidomos dëmtimet e vazhdueshme që i kanë fituar atij edhe nofkën “njeriu i qelqit”. Për më tepër, Guardiola mendon se tashmë shumëkush ka kuptuar lojën tipike të holandezit, duke shkuar nga e djathta drejt qendrës për të gjuajtur me të majtën, një taktikë që po rezulton më pak efikase në vitet e fundit.
Vetë futbollisti ka bërë të qartë se do të dëshironte të ishte gjithmonë titulòar, por duket se këtë mundësi do ta kërkojë në një skuadër tjetër, pasi Guardiola po planifikon ta largojë nga Mynihu, pas katër viteve aty.
Emri tjetër është ai i Mario Gomez, që nga njëra anë përfaqëson qendërsulmuesin tipik, por jo të atij lloji që kërkon Guardiola. Trajneri mendon se Manxhukiç është më i përshtatshëm për të realizuar një rol të tillë, ndërsa sipas tij, qendërsulmuesi ideal është Levandovski, prandaj po shtyn drejtuesit e klubit të marrin një tjetër yll nga Borusia Dortmund pas sigurimit të Gëtze.
Me Levandovski dhe Gëtze në skuadër, largimi i Roben dhe Gomez nuk do të ndjehej, pasi të dy lojtarët do të zëvendësoheshin me elementë po aq cilësorë, edhe më të rinj në moshë. (LajmeShqip.com)
Friday, 26 April 2013 20:15