Mesfushori i Bajern Mynih, Arjen Roben, i ka vënë si objektiv vetes të harrojë sa më shpejt dështimet e muajve të fundit me klubin e tij dhe kombëtaren e Holandës.
Ylli holandez ka kaluar disa muaj traumatikë, pasi humbi kampionatin gjerman, finalen e Kupës së Gjermanisë, finalen e Ligës së Kampioneve dhe si “qershi mbi tortë”, u eliminua me Holandën në Euro 2012 pa lënë shenjë, ndonëse kjo kombëtare cilësohej mes favoriteve.
“Nuk dua të shoh më mbrapa. Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur. Ne thjesht nuk arritëm të fitonim titujt që dëshironim. Edhe nëse do t’i kishim fituar titujt, ky është një sezon i ri ku gjithsesi duhet të përgatitesh për të dhënë maksimumin, ndaj po fillojmë gjithçka nga e para”, tha ai para gazetarëve në grumbullimin me Bajernin.
Bajern Mynih është përforcuar me 3 blerje në këtë edicion, duke sjellë kosovarin Xherdan Shaqiri, sulmuesin Klaudio Pizarro dhe mesfushorin Mario Manxhukiç. Të tre lojtarët pritet të luajnë pjesën më të madhe të ndeshjeve përgatitore në fillimin e grumbullimit, me Shaqirin që ka treguar qartë dëshirën për t’u bërë protagonist me Bajernin.
“Do të më jepet rasti të luaj po aq sa të tjerët. Mund të luaj jo vetëm në të dy krahët e mesfushës, por edhe në qendër. Kemi shumë lojtarë cilësorë në skuadër, por të mos harrojmë që luajmë në tre turne të ndryshëm”, ishin fjalët e futbollistit kosovar që pritet të kthehet në një pikë fikse të formacionit të Jup Heinkes, ndonëse nuk dihet vendin e kujt do të zërë në rreshtimin e bavarezëve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 July 2012 09:20