Beteja dymujore jashtë parketit si rrjedhojë e bllokimit të kampionatit NBA, duket se ka ndryshuar disi jo vetëm përbërjen e skuadrave, por edhe hegjemoninë e tyre. Mjafton të shohësh rezultatet e 5 ndeshjeve të para të sezonit për të kuptuar se emra si Los Anxheles Leikërs, Boston Sëlltiks dhe Dallas Maveriks, do ta kenë të vështirë të qëndrojnë pranë kreut të renditjes. Ndërkohë, skuadra me një përbërje më tëre si Nju Jork Niks dhe Los Anxheles Klipërs, mund të jenë surprizat e reja.
Gjithsesi, favoritët kryesorë për fitoren këtë sezon janë padyshim Majemi Hit që mundën në shtëpi Dallas Maveriks 105-94, duke i prishur festën kampionëve që po organizonin ceremoninë e titullit. LeBron Xhejms ishte i pandalshëm me 37 pikë, 10 topa në tabelë dhe 6 pasime, duke bërë që ndeshja të mos kishte histori. Diferenca në favor të Hit shkoi deri në 35 pikë në periodën e tretë dhe vetëm në fund të ndeshjes, kur në fushë ishin rezervat, Maveriks rregulluan disi shënjestrën për ta bërë rezultatin final të dukej më i pranueshëm.
Një tjetër skuadër favorite për këtë sezon është Çikago Bulls, që është prezantuar me një fitore mjaft domethënëse 88-87 ndaj Los Anxheles Leikërs në fushën e kësaj të fundit. Paraqitjet mëse të mira të Derrik Roz (22 pikë, 5 pasme) dhe Luol Deng (21pikë, 7 topa në tabelë), bënë që skuadra e Kobi Brajant (28 pikë, 7 topa në tabelë, 6 pasime) të dalë me kokën poshtë nga pallati i sportit duke qenë e ndërgjegjshme se pas një historie shumëvjeçare dominimi, mund të kthehet në skuadrën e dytë të qytetit.
Kjo për arsyen se LA Klipërs kanë dominuar në takimin e tyre të parë sezonal ndaj Golden Steit Uorriors, duke fituar me rezultatin 105-86. Emrat e rij të skuadrës, Kris Pol, Shonsi Billaps dhe Keron Batler iu bashkuan Bleik Grifin duke dhuruar një lojë spektakolare dhe duke bërë një prezantim mëse dinjitoz që pritet ta kthejë këtë skuadër në një pretendente për titull.
Ndërkohë, bie në sy edhe fitorja e Nju Jork Niks ndaj Boston Sëlltiks me rezultatin 106-104. Karmelo Entoni tregoi gjithë talentin e tij me 37 pikë, 8 topa në tabelë dhe 3 pasime, ndërsa shënoi dy pikët vendimtare falë gjuajtjeve të lira 16 sekonda para përfundimit të takimit. Në ndeshjen e pestë për këtë ditë të parë të NBA, Oklahoma Siti Thandër mundi 97-89 Orlando Mexhik duke konfirmuar se është një skuadër për t’u patur kujdes në Konferencën e Perëndimit. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 December 2011 11:03