Ish-mesfushori i Barcelonës, Huan Roman Rikelme, ka pranuar se lojtari që admiron më shumë është mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta.
Ylli 33 vjeçar i Boka Juniors, ka treguar se admiron edhe lojtarët e tjerë të katalanasve si Ksavi dhe Mesi, por mendon se mesfushori i Spanjës i ka dhënë një emër tjetër lojës cilësore në mesfushë.
“Është fantastike të bësh atë që bën Iniesta. Të luash mirë do të thotë të luash ashtu siç bën ai të Barcelona”.
Rikelme, i cili luajti vetëm 30 ndeshje me katalanasit para se të huazohej dhe pastaj shitej te Vijareali, mendon se “të shohësh Barcelonën tek luan është një detyrim për këdo që adhuron këtë sport”.
I të njëjtit mendim është edhe mesfushori tjetër argjentinas, Martin Demikelis, i cili do të ndeshet me skuadrën e Guardiolës këtë javë, duke veshur fanellën e Malagas.
“Barcelona është një prej skuadrave më të mira në histori pasi ata analizohen çdo javë nga trajnerë, lojtarë apo gazetarë dhe askush nuk gjen një mënyrë për t’i mundur. Të gjithë lojtarët kanë qejf të luajnë kundër tyre”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 January 2012 13:02