Mançester Junajtid do të pësojë ndryshime të rëndësishme në sezonin ardhshëm, sapo drejtimin e skuadrës ta marrë Devid Mojes, pas largimit të Aleks Ferguson. Mbrëmë është përhapur me shpejtësi lajmi se Uejn Runi ka kërkuar të shitet në verë, me destinacionin më të mundshëm Çelsin, ndërsa në skuadër, vendin e tij do ta zërë Kristiano Ronaldo.
Sipas mediave angleze, Runi ka kërkuar që dy javë më parë nga klubi që ta lejojnë të largohet në verë, pasi ka nevojë për një fillim të ri në karrierën e tij. Sulmuesi e ka kuptuar se tashmë nuk ka më një rol aq kryesor në skuadër, me Van Persin që i ka “vjedhur” plotësisht skenën dhe është kthyer në golashënuesin e “djajve të kuq”. Ndaj 27 vjeçari beson se në një skuadër tjetër ai do të ishte shumë më i vlerësuar dhe do të kishte më shumë hapësira. Mësohet se ai ka filluar bisedimet me Çelsin, ku pritet të transferohet për 25 milion paund gjatë verës.
Ideja e largimit të tij përforcohet nga fakti se ai nuk ka një marrëdhënie të mirë me David Mojes, ndërsa të dy kanë pasur një çështje gjyqësore të hapur ndaj njëri-tjetrit pas largimit të lojtarit nga Evertoni, ku ishte pikërisht Mojes që e zbuloi si futbollist.
Ndërkohë, është zbuluar se Mançester Junajtid ka bërë hapa të rëndësishëm para për të siguruar Kristiano Ronaldon. Shefi ekzekutiv i “djajve të kuq”, David Gill, ka qenë në Madrid disa herë në javët e fundit, ndërsa është takuar me menaxherin Horge Mendes, duke folur për kthimin e portugezit në radhët e skuadrës angleze. Sipas burimeve brenda klubit, anglezët janë të bindur se lojtari që shitën për 80 milion paund në vitin 2009, do të kthehet përsëri në radhët e tyre, ndërsa me mbarimin e sezonit do të bëjnë ofertën zyrtare për Real Madrid. Vendimtare në këtë rast do të bëhet dëshira e futbollistit, i cili nuk ka rinovuar me ekipin spanjoll dhe është mërzitur nga fakti se tifozët atje nuk e duan po aq sa ata në Angli. (LajmeShqip.com)
Thursday, 09 May 2013 09:21