Alesandro Del Piero i ka “vënë vulën” faktit që ai është lojtari më përfaqësues i Juventusit të të gjitha kohërave. Në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Milanit ai ka shkruar një tjetër faqe të lavdishme në historinë e “Zonjës së Vjetër” duke thyer të vetmin rekord që i kishte mbetur.
Del Piero, me 48610 minutat e luajtura, është juventini që ka qëndruar më shumë në fushë në të gjitha kohërat, duke kaluar mitin Shirea dhe rekordin e tij shumëvjeçar prej 48559 minutash.
Këto 73 minuta të dhuruar nga trajner Antonio Konte, i kanë dhënë mundësinë atij të lërë shenjë duke rritur edhe numrin e golave me fanellën bardhezi, për ta çuar këtë shifër në 287.
Natyrshëm që ai ka qenë ndër më të lumturit për këtë arritje personale, por edhe për faktin që pas shumë kohësh ka mundësinë të udhëheqë Juventusin drejt një trofeu.
“Nuk duhet t’i mohojmë vetes asnjë objektiv. Pas një nate të paharrueshme për mua, duhet të na mbetet në mendje vetëm një mendim: Ne jemi Juventusi dhe skuadra jonë më në fund vlen sa një finale! Por nuk duhet të ndalemi tani, nuk kemi çfarë të festojmë, le të mendojmë për ndeshjen e radhës…”, ishin fjalët e tij në faqen personale të internetit.
“Jemi një skuadër që i ka të gjitha që duhen për të fituar ndaj do të luftojmë deri në pikën e fundit të djersës për t’ia dalë mbanë. Kanë mbetur ende 10 ndeshje nga tani deri në fundin e kampionatit, ashtu si edhe finalja e Kupës së Italisë në stadiumin “Olimpiko” të Romës. Do të bëj maksimumin që ky të jetë një sezon për notën 10, ose më mirë për notën 10+!!!”, ishte premtimi i tij drejtuar tifozëve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 21 March 2012 18:10