Stadiumi “Wembley” në Londër do të organizojë për herë të gjashtë një finale të Kupës së Kampionëve “Ligës së Kampionëve”, kur do të mirëpresë dy skuadrat finaliste të këtij stinori, Manchester Unitedin e Barcelonën. Ky është rekord për një stadium.
Pesë finalet e kaluara janë zhvilluar në stadiumin e mëhershëm “Wembley”, ndërsa kjo do të jetë finalja e parë që do të zhvillohet në këtë stadium, që kur u rindërtua në vitin 2007.
Ja pesë finalet e kaluara:
22 maj 1963: Milan – Benfica 2:1
AC Milan u bë skuadra e parë italiane që fitoi Kupën e Evropës dhe i dha fund shpresave të Benficas që të fitojë për herë të tretë me radhë këtë trofe. Ndeshja u luajt në stadiumin “Wembley” në prani të 45 mijë shikuesve.
Legjenda portugeze Eusebio solli Benfican në epërsi, mirëpo me dy golat e shënuar nga Jose Altafini, Milani përmbysi rezultatin dhe doli fitues. Italianët atëbotë ishin të udhëhequr nga Cesare Maldini, babai i ikonës së mëvonshme të “rossonerëve”, Paolo Maldini.
29 maj 1968: Manchester United – Benfica 4:1
Dhjetë vite pasi skuadra e tij u shkatërrua nga tragjedia ajrore në Munchen, Matt Busby udhëhoqi Manchester Unitedin drejt titullit të parë të Evropës dhe sërish Benfica ishte skuadra që humbi në finale në “Wembley”.
I shpëtuari nga tragjedia e Muenchenit, Bobby Charlton, shënoi dy gola, ndërsa George Best e Brian Kidd shënuan nga një gol për të siguruar këtë triumf të madh të skuadrës angleze.
2 qershor 1971: Ajax – Panathinaikos 2:0
Dominimi i Ajaxit në Evropë nën drejtimin e Johan Cruyffit nisi në stadiumin “Wembley”, ku skuadra holandeze fitoi titullin e parë nga tri rresht sa i fitoi. Në finale në vitin 1971, Ajaxi u përball me skuadrën greke Panathinaikos që bëri befasi. Panathinaikos ishte duke u udhëhequr nga trajneri hungarez Ferenc Puskas, legjenda që me Real Madridin kishte dominuar Evropën si futbollist një dekadë më herët.
Dick van Dijk shënoi golin e parë pas vetëm pesë minutave, ndërsa Arie Haan shënoi golin e dytë tre minuta pa përfunduar ndeshja.
10 maj 1978: Liverpool – Club Brugge 1:0
Kenny Dalglish që kishte debutuar për Liverpoolin në “Wembley” në Super-kupën e Anglisë kundër Manchester Unitedit në gusht të vitit 1977, në këtë stadium e përmbylli me sukses të madh stinorin e tij të parë në klub duke fituar Kupën e Evropës.
Liverpooli i udhëhequr nga trajneri Bob Paisley triumfoi në finale kundër skuadrës belge Club Brugge.
Dalglish shënoi golin e vetëm në ndeshjen finale. Ai pati një detyrë të vështirë, pasi duhej të zëvendësonte ikonën e klubit Kevin Keegan, që u transferua në Hamburg. Daglish edhe pas 33 viteve është sërish në Liverpool, tash po kryen detyrën e trajnerit.
20 maj 1992: Barcelona – Sampdoria 1:0
Ndryshe nga rivali i përbetuar Real Madridi, Barcelona nuk arrinte të korrte suksese në Kupën e Kampionëve. Skuadra katalunase u mposht në finale të viteve 1961 dhe 1986. Mirëpo stadiumi “Wembley” ishte me fat për Barçën.
Në finalen e vitit 1992, Barcelona mposhti pas lojës shtesë skuadrën italiane Sampdoria me rezultatin 1:0. Ronald Koeman shënoi golin e vetëm në këtë ndeshje. Cruyff, që kishte udhëhequr Ajaxin drejt titullit të Evropës si futbollist në vitin 1971, fitoi këtë titull si trajner në vitin 1992 derisa drejtonte Barçën. Në skuadrën e Barçës ishte edhe trajneri i tashëm i skuadrës katalunase, Pep Guardiola.
Për Sampdorian kapiten atëbotë ishte trajneri i tashëm i Manchester Cityt, Roberto Mancini.
Friday, 27 May 2011 16:33