Rejnxhërs Gllasgou, një nga klubet legjendare skoceze që ka bërë emër në futbollin evropian, vitin e ardhshëm do të luajë mes amatorëve në kategorinë e katërt skoceze, pas vendimit të marrë në votimin e klubeve të Ligës Skoceze të Futbollit.
Të 30 klubet e Ligës votuan nëse skuadra e ringjallur nga biznesmeni Çarls Grin pas falimentimit duhej të kthehej në kampionat dhe në cilën kategori duhej vendosur.
Federata Skoceze e Futbollit si dhe Premier Liga e Futbollit shpresonin që Rejnxhërs të vendoseshin në kategorinë e dytë, duke patur parasysh popullaritetin e kliubit dhe dëmin e rëndë akonomik që sillte largësia e tij nga elita e futbollit skocez.
Por 29 nga 30 klubet skoceze e pranuan përsëri Rejnxhërs si një anëtar të Ligës së Futbollit Skocez, ndërsa 25 prej tyre votuan që kjo skuadër e rindërtuar ta rifillonte rrugën e saj nga baza e futbollit skocez.
Klubi skocez ka falimentuar pasi i detyrohet rreth 134 milion paund të papaguara Zyrës së Taksave, duke e bërë likuidimin e aseteve të tij të detyrueshëm. Meqë klubi quhej i likuiduar, Reinxhërs u detyrua të ribëhej nga e para nga kompania që e bleu dhe si rrjedhojë, të rifillojë edhe rrugën drejt trofeve në Skoci nga e para, pikërisht kategoria më e ulët e futbollit në këtë vend. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 July 2012 17:25