Trajneri i Reinxhërs Glasgou, Elli MekKoist, ka falënderuar publikisht tifozët e skuadrës së tij, pasi 49118 vetë ndoqën ndeshjen e luajtur në stadiumin “Ibroks” ndaj Stërling, të përfunduar me fitoren 5-1 të skuadrës që falimentoi këtë vit dhe është e detyruar të luajë në kategorinë e katërt në Skoci.
“Gjithçka ishte e pabesueshme. Pashë nga dritarja e zyrës time në orën 13:30 dhe gjithë rruga para stadiumit ishte e mbushur. Ishte fantastike, një mesazh i qartë inkurajimi për klubin dhe vështirësitë e tij. Kur merr një mbështetje të tillë nga tifozët, ka vetëm një rrugë për të ndjekur, të ecësh përpara”, tha ai.
Kjo ishte ndeshja e parë në fushën e vet për Reinxhërs që në momentin kur ranë në kategorinë e katërt pas falimentimit. Skocezët thyen rekordin e mëparshëm botëror të kësaj kategorie që mbahej nga një tjetër skuadër britanike, anglezët e Kristal Palas.
Rekordi i kategorisë së katërt mbahej nga ky ekipi anglez që në vitin 1961, kur 37774 tifozë të kësaj skuadre ndoqën takimin ndaj rivalëve londinezë të Milluoll. (LajmeShqip.com)
Sunday, 19 August 2012 10:01