Trajneri i Totenhemit, Herri Redknap, ka pranuar se është i lumtur nga fakti që cilësohet kandidati kryesor për pankinën e Anglisë. Por ai ka hedhur poshtë mundësinë që t’i bëjë njëkohësisht të dy detyrat.
“Më pëlqen që njerëzit mendojnë se unë kam mundësi të marr këtë detyrë. Realisht i falënderoj edhe të gjithë trajnerët e tjerë që më kanë mbështetur. Por nuk mund të bëj dy gjëra njëherësh, është e vështirë të drejtosh një skuadër klubi, e aq më shumë të një kombi të tërë”.
“Mendoj se duhet të përqendrohesh te puna dhe nuk mund të shkosh në shtëpi në darkë duke menduar dy formacione të ndryshme. Për momentin nuk mund të shpërqendrohem nga Totenhemi, pasi jemi duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, jemi në garë për Kupën FA. Ia kam borxh atyre që të vazhdoj të përqendrohem vetëm te kjo skuadër dhe nuk dot ishte e ndershme të mendoja për gjëra të tjera”, deklaroi Redknap.
Të njëjtin mendim me Redknap e ndan edhe Aleks Ferguson, i cili ka deklaruar se është e vështirë të kryhen njëkohësisht detyrat si trajner te një klubi dhe një kombëtareje, pasi e ka provuar në vitin 1986 kur drejtonte Aberdenin dhe kombëtaren e Skocisë. “E kam provuar vetë dhe ishte shumë e vështirë” tha skocezi. (LajmeShqip.com)
Friday, 10 February 2012 15:20