Trajneri i Totehemit, Herri Redknap, ka pranuar se do ta kishte shumë të vështirë të largohej nga ky klub për të drejtuar përfaqësuesen e Anglisë. 65 vjeçari është i preferuari i të gjithëve për të zënë vendin e lënë bosh nga Fabio Kapelo pas dorëheqjes së këtij të fundit,
Pak kohë më parë, vetë Redknap deklaroi se do të ishte një ëndërr për çdo trajner anglez të drejtonte përfaqësuesen e këtij vendi, por ai tashmë ndjen se nuk ka përfunduar ende ciklin e tij me Totenhem.
“Nuk jam i sigurt”, ishte përgjigja e tij për “L’Equipe”, i pyetur nëse ai do të pranonte të drejtonte Anglinë. “Kam një punë shumë të mirë te Totenhem dhe më pëlqen. Po aktualisht nuk e di, të shohim se çfarë do të ndodhë”.
“Kur ke një klub, ti kërkon një sulmues dhe e merr. Por kur je trajneri i përfaqësueses, duhet të improvizosh me lojtarët që ke në shtetin tënd. Nëse nuk ke një golashënues të mirë, nuk e ke dhe pikë. Dhe thuajse nuk i sheh lojtarët. Dy ditë në çdo dy muaj është një situatë shumë e vështirë”. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 March 2012 20:07