Trajneri i QPR, Herri Redknap, ka konfirmuar zërat se portieri brazilian Hulio Cesar do të jetë i pari nga emrat e njohur që do të largohet nga kjo skuadër në fund të sezonit, pasi klubi anglez do të bjerë një kategori më poshtë.
Portieri pritet të kthehet në kampionatin italian, ose të transferohet në atë spanjoll, pasi klubi londinez dëshiron të largojë lojtarët me rroga të larta, të cilat është e vështirë të përballohen kur je në kategorinë e dytë angleze.
“Nuk e shoh Hulion të luajë për ne në sezonin e ardhshëm, ai nuk është një lojtar për kategorinë e dytë. Ai është futbollist për një skuadër të elitës në Itali, Spanjë apo kampionatin anglez”, deklaroi Redknap rreth kësaj teme.
“Kupa e Botës po afron dhe ai është portieri më i mirë i Brazilit. Pastaj këtu erdhi Rob Grin dhe bëri një punë të shkëlqyer kur nuk ishte Hulio. Mendoj se Grin është lojtari që do të mbulojë këtë pozicion për ne në sezonin e ardhshëm”.
Arsenali, Milani dhe Roma janë tre skuadrat që kanë shfaqur interes për ish-portierin e Interit, por mendohet se për të po interesohen edhe shumë skuadra spanjolle, të cilat janë të ndërgjegjshme se me këtë portier kanë një garanci më shumë në prapavijën e tyre. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 May 2013 11:58