Trajneri i Shpresave, Redi Jupi, ka vazhduar të flasë keq për lojtarët shqiptarë nga Kosova që kanë zgjedhur ngjyrat e Shqipërisë.
Në emisionin e “Procesit Sportiv”, trajneri i Kombëtares U- 21, Redi Jupi, ka dashur të rikthehet në kohë.
Pikërisht në momentin kur Lorik Cana apo lojtarë të tjerë kuqezi kanë vendosur të veshin fanellën e Shqipërisë.
Sipas trajnerit të Kombëtares Shpresa, zgjedhja e Canës ka qenë e vetmja, në momentin kur atij i është propozuar që të bashkohet me kuqezinjtë.
Gjatë diskutimit për këtë çështje, që ka zgjatur vetëm pak minuta, Jupi e thekson shumë herë atë që e cilëson edhe si fakt.
“Lorik Cana nuk ka pasur asnjë mundësi tjetër për të luajtur, përveçse me Kombëtaren shqiptare. Kur ka ardhur, luante në ekip të ulët. Nuk mund të luante në asnjë skuadër tjetër. Nuk kishte asnjë ofertë”, deklaron trajneri i Shpresave.
Në vijim të diskutimit, Jupi ka përmendur edhe rastin e vëllezërve Xhaka. Sipas tij, është krejtësisht e qartë se Xhaka i madh është pjesë e kuqezinjve, sepse nuk ka pasur mundësi tjetër, ndryshe nga Graniti, i cili është në planet e Zvicrës.
“Taulant Xhaka ka luajtur për U-21 e Zvicrës. Në momentin që nuk u përfshi më në Kombëtaren zvicerane, erdhi dhe luajti për ne. Granit Xhaka ka qenë gjithmonë në interesat e Zvicrës”, ka deklaruar Redi Jupi në emisionin sportiv.
Wednesday, 28 October 2015 20:27