Real Madrid po planifikon të sjellë Devid Bekam në radhët e saj sapo mesfushori anglez të largohet nga LA Galaksi. Mediat spanjolle kanë publikuar lajmin se Florentino Perez dëshiron të kthejë në skuadrën e tij një nga ish-“galaktikët” e famshëm, por këtë radhë jo me qëllimin kryesor për të shkëlqyer në fushën e lojës.
Bekam është një “makinë parash” dhe këtë e ka vërtetuar më së miri në SHBA, në një treg shumë të vogël për një sport që është i 5-ti për nga rëndësia në këtë vend. Bekam ka fituar më shumë me shitjen e imazhit të tij në MLS sesa me rrogën që përfitonte nga klubi, ndërsa i ka sjellë shumë të ardhura edhe vetë skuadrës nga e cila ka vendosur të largohet për një “aventurë të fundit të rëndësishme”.
Futbollisti anglez kërkohet me ngulm nga ekipe në të gjithë kontinentet, duke filluar nga skuadrat kineze, për të vazhduar me ato australiane, braziliane e amerikane. Por të gjithë janë të sigurt se ai është në pritje të ofertave evropiane, ku PSZH dhe Real Madrid duken alternativat më të mundshme.
Perez ka bërë të qartë se lojtari do të jetë pjesë e skuadrës nëse insiston të vazhdojë karrierën si futbollist, por njëkohësisht do të kryejë detyrën e ambasadorit të klubit nëpër botë, ai që është qëllimi i mirëfilltë i ofertës që do t’i bëhet anglezit sapo të mbyllë kontratën e tij me LA Galaksi në dhjetor. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 November 2012 15:22