Vazhdon dominimi absolut i Real Madrid në derbin kundër Atletiko. Skuadra e Murinjos ka fituar 2-0 në supersfidën e kësaj jave në kampionatin spanjoll, duke çuar në 13 numrin e viteve pa një humbje në këtë përballje, në atë që është derbi i 24-t radhazi ku Atletiko nuk arrin të fitojë ndaj rivalëve historikë.
Në ndeshjen e luajtur në “Santiago Bernabeu”, pjesa e parë ka dhuruar shumë pak dhe po të mos ishte goli i shpejtë i Kristiano Ronaldos me goditje dënimi, do të ishte cilësuar “një barazim i mërzitshëm”. Në pjesën e dytë, Reali ka shfrytëzuar avantazhin për të luajtur më qetë dhe më mirë, falë kundërzbritjeve të shpejta, si ajo e minutës së 66-të që solli golin e dytë të shënuar nga Ozil që vulosi rezultatin e sfidës.
Ndoshta për herë të parë në historinë e klubit, madrilenët kanë patur tifozë edhe futbollistët e Barcelonës, të cilët kanë parë të ndalet ndjekësi më i afërt, ndërsa më përpara vetë kishin likuiduar pa probleme Atletik Bilbaon me rezultatin e thellë 5-1. Falë kësaj fitoreje, Tito Vilanova hyn në histori si trajneri i skuadrës që ka regjistruar fillimin më të mirë në historinë kampionatit spanjoll, me 13 fitore e 1 barazim në 14 ndeshjet e para. Për t’u theksuar është edhe fakti se Lionel Mesi ka shënuar në këtë sfidë golin e tij të 84-t për vitin kalendarik 2012, duke qenë vetëm 1 larg rekordit të Myler.
Në ndeshjet e tjera, bie në sy humbja 5-2 në shtëpi e Valencias përballë Real Sociedad, humbje që ka sjellë edhe largimin e trajnerit Mauricio Pelegrino, i cili është shkarkuar menjëherë pas përfundimit të takimit. (LajmeShqip.com)
La Liga
Java 14 / Rezultatet
Getafe-Malaga 1-0
57’ Lopo
Valencia-Real Sociedad 2-5
2’, 73’ Soldado / 44’ De La Bella, 57’ Mikel Gonzalez, 64’ Ifran, 83’ Agirretze, 90’ (p) Vela
Barcelona-Atletik Bilbao 5-1
23’ Pike, 25 (ag) Amorebieta, 45’ Adriano, 57’ Fabregas, 70’ Mesi / 66’ Ibai
Real Madrid-Atletiko Madrid 2-0
16’ Kristiano Ronaldo, 66’ Ozil
Sunday, 02 December 2012 00:07