Karlo Ançeloti është shumë pranë firmës me Real Madrid, pasi situata e tij me klubin e Paris Sent Zhërmen është drejt zgjidhjes. Tekniku italian shpreson të shkëputet nga PSZH sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa klubi francez deri tani nuk ia ka mundësuar një gjë të tillë.
Kjo është arsyeja pse Hose Angel Sançez, drejtori i përgjithshëm i Real Madrid, ka udhëtuar sot drejt Katarit, për të folur me sheikët që kanë në pronësi klubin.
Pengesa kryesore për momentin mbetet fakti se sheikët nuk kanë gjetur ende një zëvendësues të denjë për italianin. Gus Hidink dhe Andre Vijas Boas, dy alternativat më të ndjekura, për momentin janë të paarritshëm pasi janë të blinduar me kontrata në klubet respektive.
Gjithsesi, kjo nuk ka zbehur optimizmin e madrilenëve të cilët shpresojnë të marrin një po që sonte dhe nesër të bëjnë zyrtar emërimin e trajnerit italian në drejtimin e skuadrës së tyre. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 June 2013 22:52