Ezekiel Laveci është një nga lojtarët “përgjegjës” për sezonet e shkëlqyera që po kalon Napoli në Serinë A dhe në Ligën e Kampioneve, duke udhëhequr këtë skuadër drejt objektivave të rëndësishëm.
Bashkë me Kavanin, ai formon një dyshe të frikshme sulmi dhe shumë prej klubeve të njohur evropiane janë vënë në ndjekje të tij. Në këtë listë të gjatë përfshihet edhe Reali i Madridit, i cili është interesuar edhe në sezonin e kaluar për të, sipas asaj që ka treguar menaxheri i futbollistit, Ernesto Bronzeti.
“Janë të pakta klubet që mund të paguajnë klauzolën e prishjes së kontratës. Interesim për të ka patur nga Çelsi, Mançester Siti, Real Madrid dhe Malaga. Por nga këto klube, në sezonin e kaluar, ofertë bëri vetëm Real Madrid”, tregoi Bronzeti për “Radio Kiss Kiss”.
Sipas tij, drejtuesit e Napolit e hodhën poshtë ofertën që i kishte ardhur pikërisht nëpërmjet Bronzetit. “Është e vërtetë që presidenti Aurelio De Laurentis refuzoi një ofertë të ardhur nga Reali sezonin e kaluar”, tregoi Bronzeti.
“El Pocho” Laveci, erdhi në vitin 2007 te Napoli, pas një të kaluare të suksesshme me skuadrën e San Lorenzo, me të cilën fitoi turneun “Clausura” në Argjentinë. Në vitin 2008, ai ishte protagonist me kombëtaren olimpike të Argjentinës duke fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Pekinit, por pastaj nuk u përzgjodh nga Diego Armando Maradona për kombëtaren që mori pjesë në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut 2010. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 March 2012 12:30