Revista prestigjioze “Forbes” ka renditur për herë të parë Real Madrid si klubin më të vlefshëm në botë, duke ulur nga “froni” Mançester Junajtid që dominonte këtë listë prej 9 vitesh, që në fillimin e saj.
Tani klubi spanjoll vlen 103 milion euro më shumë se skuadra angleze, pasi Real Madrid ka vlerën 2.532 miliard euro, ndërsa Mançester Junajtid ka vlerën 2.429 miliard euro.
Në vendin e tretë renditet Barcelona, e cila ka një vlerë prej 1.995 miliard euro, por ka qenë skuadra që ka pasur rritjen më të ndjeshme në vitin e fundit. Dy klubet e tjera që plotësojnë pesëshen e parë janë Arsenal (1,017 miliard euro) dhe Bajern Mynih (1,005 miliard euro), ndërsa skuadrat pas tyre nuk e kapin asnjë shifrën e 1 miliard eurove në vlerën e tyre totale.
Mançester Siti ka bërë ngjitjen më domethënëse të këtij viti, duke kaluar nga vendi i 13-të në vendin e 9-të të klasifikimit të “Forbes”, ndërsa duket e çuditshme por PSZH nuk figuron mes 20 skuadrave më të pasura në botë, ndonëse në vitin e fundit ka dominuar merkaton e futbollistëve në Evropë. Gjithashtu, mes 20 klubeve me vlerën më të lartë figurojnë vetëm dy spanjollet e lartpërmendura, duke treguar qartësisht se përveç Realit e Barçës, klubet e tjera kanë probleme të mëdha dhe nuk kanë të njëjtën peshë ekonomike. (LajmeShqip.com)
Klasifikimi i 10 skuadrave më të vlefshme sipas “Forbes”:
1. Real Madrid – €2.532 miliard
2. Mançester Junajtid – €2.429 miliard
3. Barcelona – €1.995 miliard
4. Arsenal – €1.017 miliard
5. Bajern Mynih – €1.005 miliard
6. Milan – €725 milion
7. Çelsi – €691milion
8. Juventus – €533 milion
9. Mançester Siti – €529 milion
10. Liverpul – €500 milion
Thursday, 18 April 2013 10:12