Mikael Esien këtë sezon do të veshë fanellën e Real Madrid. Futbollisti ganez, një nga të besuarit e Zhoze Murinjos në periudhën kur ky i fundit drejtonte Çelsin, largohet nga ekipi londinez në formën e huazimit, me një marrëveshje rrufe që ka zgjatur pak orë në fundin e afatit zyrtar për transferimet e lojtarëve.
Gjithçka ka marrë shkas nga oferta që rusët e Anzhi kanë bërë për blerjen e Lasana Diarra nga madrilenët. Një lëvizje e tillë ka sjellë edhe kërkimin për një mesfushor tjetër me tipare të njëjta dhe ka qenë vetë Murinjo që ka insistuar për Esien.
Lojtari nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt Monakos për të marrë pjesë në Superkupën e Evropës, duke preferuar që të niset menjëherë drejt Madridit për të kryer vizitat e nevojshme mjekësore të këtij huazimi njëvjeçar.
Lajmi është konfirmuar pak para mesnatës nga klubi i Çelsit, që gjatë ditës së sotme kishte diskutuar edhe me Arsenalin për huazimin e futbollistit ganez.
“Mesfushori 29 vjeçar, që erdhi në klub nga Lioni në vitin 2005, do të bashkohet te Real Madrid me Zhoze Murinjon, njeriun që e solli në klubin tonë. Ai ka qenë një person i rëndësishëm në planet e klubit duke fituar 2 tituj kampion, katër Kupa FA dhe një Ligë Kampionesh në 6 sezonet këtu. Esien ka luajtur 247 ndeshje duke shënuar 25 gola me fanellën e Çelsit”, shkruhej në lajmërimin e bërë publik nga klubi londinez.
Përsa i përket Diarra, diskutimet me Anzhi vazhdojnë pasi merkatoja e futbollistëve në Rusi mbyllet me datë 6 shtator. Por për marrëveshjen kanë mbetur shumë pak detaje për t’u përcaktuar rreth rrogës së futbollistit, pasi madrilenët kanë pranuar ta shesin atë për 5 milionë euro (LajmeShqip.com)
Friday, 31 August 2012 23:31