Reali i Madridit vazhdon i qetë rrugën drejt titullit kampion, duke regjistruar një tjetër fitore dhe i ndërgjegjshëm që për momentin edhe vërshëllimat e gjyqtarëve janë në favor të madrilenëve. Fitorja minimale 1-0 në fushën e Rajo Vajekanos ka patur dy protagonistë, Kristiano Ronaldon që ka shënuar me thembër golin e fitores dhe gjyqtarin e takimit që ka gabuar thuajse gjithçka në favor të madrilenëve.
Në fakt, Reali duhej të ishte në inferioritet numerik që në minutën e 19-të të sfidës, kur Serxho Ramos godet me bërryl në zonë Diego Kostan. Të gjithë presin kartonin e kuq dhe penallti në favor të Rajos, por nuk është i të njëjtit mendim gjyqtari Fernandez Borbalan, i cili injoron krejtësisht ngjarjen.
Për më tepër, ai favorizon dukshëm madrilenët edhe në raste të tjera, ku nuk përjashtohet ndërhyrja e radhës e Pepes që kalon pa u ndëshkuar. Në të njëjtën kohë, Borbalan largon me karton të kuq Miçu për faull ndaj Kediras, ndërsa pamjet filmike tregojnë se lojtari i Rajos nuk e ka prekur mesfushorin gjerman.
E vetmja gjë e bukur që mund të shpëtohet nga ndeshja “me ndihmë” e Realit është goli i Kristiano Ronaldos në minutën e 54-t, pasi portugezi arriti të dërgonte topin në rrjetë me një prekje me thembër. Pjesa tjetër e ndeshjes është për t’u harruar dhe madrilenët duhet t’i falën Kazijas që tregohet vendimtar në disa momente duke siguruar fitoren e skuadrës së tij. (LajmeShqip.com)
Sunday, 26 February 2012 18:23