“El Clasico” i buzëqesh përsëri Barcelonës, ndonëse këtë radhë katalanasit nuk kanë qenë dominues dhe i ka mjaftuar një barazim me fat 2-2 përballë Realit të Madridit për të kaluar në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit.
Kanë qenë madrilenët që kanë regjistruar raste të njëpasnjëshme para portës kundërshtare në minutat e para duke vënë në vështirësi Pinto me anë të Higuain e Ronaldo. Skuadra e Murinjos dominon edhe me lojë, ndërsa godet edhe traversën me anë të Ozil. Por ndërsa madrilenët dukeshin shumë pranë golit, janë katalanasit që shënojnë në rastin e parë që i shfaqet. Mesi dhuron një tjetër nga pasimet e tij të pagabueshme, duke gjetur në zonë Pedron, i cili nuk gabon dhe kalon në avantazh skuadrën e tij në minutën e 43-të. Në minutën e 3-të të shtesës së pjesës së parë, Reali merr edhe goditjen e dytë, kur Dani Alves shënon me një diagonale të pakapshme nga jashtë zonës.
Me kthimin e skuadrave në fushë është Barcelona që tashmë luan më qetë dhe mundohet që të shtyjë minutat e mbetura. Por Murinjo gjen zëvendësimin e duhur, duke larguar Higuain e aktivizuar Benzema. Reali ngjallet dhe brenda pak minutash gjen dy herë rrugën e rrjetës, fillimisht me Kristiano Ronaldo, e pastaj me Benzema, kur kanë mbetur edhe 20 minuta deri në përfundimin e takimit.
Por 20 minutat e mbetura kthehen në të zakonshmen luftë nervash ku palët nuk kursejnë goditje të palejuara ndaj njëra-tjetrës, të cilat sjellin edhe largimin me karton të kuq të Serxho Ramos. Edhe pse në inferioritet numerik, Reali provon në të gjitha mënyrat të gjejë golin e fitores, po në fund është Barcelona që buzëqesh me këtë barazim 2-2.
Si zakonisht, kjo ndeshje do të shoqërohet nga polemika të shumta në ditët në vazhdim, pasi të dy palët kanë çfarë të thonë për gjyqtarin Tekseira. Madrilenët pretendojnë për dy 11-metërsha të padhënë, ndërsa katalanasve u është mohuar një 11-metërsh si dhe pretendojnë se Diarra duhej ndëshkuar me karton të kuq që në fundin e pjesës së parë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 January 2012 00:17