Tiranë – Liga e Kampioneve do të rikthehet mbrëmjen e sontme, ku do të zhvillohen dy takimet e para të fazës çerekfinale Inter – Shalke dhe Real Madrid – Totenhem.
Në “Santiago Bernabeu” spanjollët e Realit do të presin anglezët e Totenhem, që eliminuan në fazën e kaluar Milanin.
Tekniku portugez i Realit, Jose Mourinho, ka përjashtuar çdo mundësi që Tottenhami ta mposhtë Real Madridin në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
Portugezi është i bindur në kualifikim. “Unë kam respekt të madh për Totenhemin dhe për atë që ka arritur këtë sezon në Ligën e Kampionëve. Natyrisht, ata kanë të drejtë të ndihen krenarë për sukseset, por a mendoj unë se ata do ta mposhtin Realin? Jo”.
“Është mendimi im se ne jemi ekipi më i mirë dhe jam i bindur se do të kualifikohemi pas dy ndeshjeve”, u shpreh Mourinho, teksa ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kristiano Ronaldos në këtë takim.
Ndërsa sulmuesi i Realit të Madridit, Emmanuel Adebayor, thotë se nuk ka asnjë arsye që ata të kenë frikë nga Totenhemi. “Ne duhet të besojmë në veten tonë, nëse kemi frikë nuk mund të luajmë lojën tonë. Ne do të japim gjithçka kundër Totenhemit, ne nuk duhet të kemi frikë. Mendoj se ky ekip dhe ky trajner mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve”, ka thënë Adebayor.
Ndërkohë në kampin anglez, sulmuesi i Totenhemit, Jermain Defoe, beson se ekipi i tij do të arrijë rezultat pozitiv në Spanjë. 28-vjeçari është detyruar shumicën e kohës të shohë nga pankina sukseset e ekipit të tij, përfshirë edhe kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi ka kaluar një sezon me dëmtime, por beson se do të jetë ndaj Realit.
Tuesday, 05 April 2011 06:42