Luka Modriç është pranë transferimit në Spanjë, në radhët e Real Madrid që kërkon me ngulm shërbimet e mesfushorit kroat. Miku i tij i ngushtë, ish-futbollisti i Kroacisë, Mate Biliç, ka treguar se lojtari dëshiron të bëjë sa më shpejt këtë transferim, ndonëse kërkohet në Angli edhe nga Çelsi e Mançester Junajtid.
“Modriç dëshiron të luajë në kampionatin spanjoll. Atij i pëlqen shumë kampionati anglez, por dëshiron të provojë Spanjën. Ai është shumë pranë firmës atje”, tregoi ai për 26 vjeçarin.
Edhe ish-ylli i Kroacisë dhe Real Madrid, Davor Shuker, ka mbështetur një lëvizje të mundshme të mesfushorit, i cili vlerësohet 35 milion paund nga klubi anglez. Zhoze Murinjo është një admirues i tij i hershëm dhe në planet e tij për të fituar Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm, bën pjesë edhe mesfushori që do të luante përkrah Ksabi Alonsos.
“Modriç është një lojtar që mund të luajë për Real Madrid. Ai duhet të luajë në një skuadër që fiton trofe. Do të rekomandoja Florentino Perez ta blejë, para se të përfundojë te ndonjë skuadër si Çelsi apo ekipet e Mançesterit”, ishin fjalët e Shuker.
Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, Reali do të bëjë këtë javë ofertën fillestare për futbollistin, që mendohet të jetë rreth 25 milionë euro. (LajmeShqip.com)
Monday, 18 June 2012 10:01