Mediat spanjolle dhe ato italiane kanë lajmëruar se Real Madrid është vënë në lëvizje për të siguruar shërbimet e mesfushorit francez të Juventusit, Pol Pogba. Fillimisht kanë qenë mediat spanjolle që kanë publikuar interesimin e madrilenëve për një lojtar francez të këshilluar nga Varane, ndërsa më pas nga Italia ka ardhur konfirmimi për mesfushorin 19 vjeçar.
Në emisionin televiziv “El Larguero” të së dielës në darkë, një gazetar i njohur spanjoll, Hose Ramon De La Morena, bëri të ditur se Florentino Perez kishte dërguar avionin e tij privat në Verona të Italisë për të marrë babain e një futbollisti të ri francez, me të cilin ishte takuar pak orë më vonë në një hotel jashtë Madridit. Sipas të njëjtit burim, ky lojtar i ishte rekomanduar drejtuesve madrilenë nga mbrojtësi 19 vjeçar Rafal Varane, që ka shkëlqyer këtë vit me fanellën e skuadrës spanjolle.
Menjëherë erdhi një konfirmim nga mediat italiane se bëhej fjalë për Pol Pogba, mesfushorin e Juventusit që është një mik i ngushtë me Varane, pasi janë të dy moshatarë. Si mbrojtësi, ashtu edhe mesfushori, kanë luajtur bashkë në të gjitha kombëtaret e moshave të Francës ndaj edhe njohin mirë njëri-tjetrin.
Mesfushori u transferua gjatë vitit të kaluar nga radhët e Mançester Junajtid te Juventus me parametër zero, pasi bardhezinjtë i ofruan atij një kontratë mëse të kënaqshme dhe mundësinë që të shpërthente me ekipin e parë. Por për ta blerë atë tashmë nga skuadra italiane, Reali duhet të bëjë gati të paktën 20 milion euro, pasi Pogba ka bindur me paraqitjet e tij dhe cilësohet si e ardhmja e futbollit francez.
Ideja e drejtuesve të Real Madrid është që të gjejnë shumë shpejt një zëvendësues për Ksabi Alonso, i cili me sa duket ka bërë të qartë se nuk do të rinovojë dhe po mendon kthimin në kampionatin anglez. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 April 2013 18:31