Real Madrid mbetet klubi i futbollit që përfiton më shumë të ardhura për vitin e tetë radhazi, ndërsa futbolli në përgjithësi ka treguar se nuk e ndjen edhe aq shumë krizën ekonomike që po përjeton biznesi në Evropë.
Kampionët në fuqi të Spanjës u kthyen në klubin e parë sportiv që thyen barrierën e 500 milion eurove fitime në vit, ndërsa qëndruan përpara rivalëve të Barcelonën në raportin e publikuar nga firma audituese “Deloitte”.
Të dy skuadrat patën një rritje të të ardhurave prej 7% në sezonin 2011-2011, me Realin që siguroi 512.6 milion euro, ndërsa Barcelona 483 milion euro.
Ndërsa 6 vendet e para në këtë renditje mbeten të pandryshuara, skuadra e vetme që ka pësuar rënie ishte Mançester Junajtid, që regjistroi -3% për një total fitimesh prej 320.3 milion paund, rënie e cila erdhi si shkak i moskalimit të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve një sezon më parë.
Pas tyre renditet Bajern Mynih me 368.4 milion euro, ndjekur nga Çelsi me 261 milion paund dhe Arsenal me 234.9 milion paund të ardhura.
Mançester Siti ishte skuadra që lëvizi më shumë në renditje, duke u ngjitur nga vendi i 12-të në të shtatin, me 231.1 milion paund të ardhura, kryesisht për faktin se po luan me rregullsi në Ligën e Kampioneve dhe fitoi titullin kampion në Angli në sezonin e kaluar, duke gjeneruar më shumë para nga sponsorizimet.
Vendi i 8-të i shkoi Milanit, i ndjekur nga Liverpul, Juventus, Borusia Dortmund, Inter, Totenhem, Shalke, Napoli, Olimpik Marsejë, Olimpik Lion, Hamburg, Roma dhe Njukasëll.
Në total, 20 skuadrat e para kanë gjeneruar 4.8 miliard euro të ardhura në sezonin 2011-2012, një rritje 10% në krahasim me një sezon më parë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 January 2013 09:11