Sulmuesi spanjoll i Shalkes, Raul, i ka dhuruar muzeut të ardhshëm të futbollit gjerman fanellën dhe topin me të cilin shënoi golin e 400-të në futbollin profesionist.
Raul e shënoi këtë gol me 19 shkurt në fitoren 4-0 të Shalkes ndaj rivalëve të Bundesligës, Volfsburgut.
“Po kaloj një periudhë të shkëlqyer në Bundesligë dhe jam shumë krenar për të gjithë dashurinë që më kanë treguar fansat në Gjermani”, deklaroi Raul, i cili ka shënuar 33 gola që në momentin kur iu bashkua skuadrës gjermane në verën e vitit 2010.
“Ky është një gjest i jashtëzakonshëm në favor të gjithë futbollit gjerman”, ishte deklarata e Manuel Noikirshner, drejtori i këtij muzeu që do të hapet në vitin 2014. “Këto dy objekte do të kenë një vend nderi në muzeun tonë”.
Spanjolli 34 vjeçar shënoi 323 gola për Real Madrid, ku ai filloi karrierën e tij në vitin 1994 dhe fitoi 3 herë Ligën e Kampioneve. Ai shtoi 44 gola të tjerë me kombëtaren e Spanjës dhe 33 gola me Shalken. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 March 2012 20:33